/ Komunitet / Presidenti Topi refuzon atë që propozoi dje: S’jap asnjë informacion për “grushtin e shtetit”

Presidenti Topi refuzon atë që propozoi dje: S’jap asnjë informacion për “grushtin e shtetit”

Benji Oz on February 4, 2011 - 2:14 am in Komunitet

Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka refuzuar edhe një kërkesë të re të Komisionit Hetimor për të dorëzuar pranë këtij komisioni të dhënat që disponon për dhunën e 21 janarit. Kryetari i Komisionit, Eduard Halimi tha se i ka drejtuar një tjetër shkresë institucionit të presidentit që titullari të japë dëshminë e tij dhe sqaroi se përgjigja e presidentit është një detyrim ligjor. Por pak minuta më vonë, këshilltari ligjor i presidentit, Spiro Peçi, tha se Presidenti i Republikës nuk ka në asnjë rast detyrim për të dhënë informacione. “Ky Komision mesa u deklarua, edhe nga përmbajtja e shkresës që sapo ka mbërritur pranë Presidentit të Republikës, pretendon që prej Presidentit të Republikës, po citoj shkresën,” të mbledhë të dhëna dhe informacione zyrtare dhe jozyrtare, si dhe dokumente. Komisioni mundohet të argumentojë se e mbështet kërkesën në Nenin 14, gërma “b” të Ligjit Për komisionet hetimore. Në qoftë se ky “argumentim” nuk përmban keqdashje politike, në rastin më të mirë, është një miopi juridike.
Neni i cituar, bën fjalë për të drejtën e Komisionit që të thërrasë titullarë institucionesh për pyetje dhe të kërkojë dokumente ose informacione zyrtare prej tyre. Vetëm ata që nuk kanë koncepte mbi institucionin dhe titullarët e institucioneve, si dhe nuk lexojnë apo nuk duan të lexojnë Kushtetutën e vendit, e njehsojnë Presidentin e Republikës me një titullar institucioni. Ashtu siç shpjeguam edhe në konferencën e ditës së djeshme, në bazë të Nenit 92, në gërmën “h” të Kushtetutës duke qenë se Presidenti është një institucion, thuhet “kërkon mendim dhe të dhëna me shkrim nga drejtuesit e institucioneve shtetërore për çështjet që kanë të bëjnë me detyrat e tyre. Në asnjë rast, Presidenti i Republikës nuk ka detyrimin për të dhënë informacione”- deklaroi Peçi. Por një ditë më parë këshilltari ligjor i Presidentit të Republikës shprehu një tjetër qëndrim, duke thënë se dëshmia e Presidentit të Republikës mund të merret në selinë ku ai ushtron funksionet e kryetarit të shtetit. “Dëshmia e Presidentit të Republikës merret në selinë ku ai ushtron funksionet e Kryetarit të Shtetit. Kur duhet të merret dëshmia e Kryetarit të Kuvendit, Kryetarit të Këshillit të Ministrave, Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese ose dhe të Gjykatës së Lartë, këta mund të kërkojnë të pyeten në selinë ku ushtrojnë detyrën e tyre. Në këto kushte edhe njëherë, duke shprehur gatishmërinë për të dëshmuar, në respekt të ligjit, Presidenti i Republikës do të përcaktojë mënyrën dhe kohën e realizimit për t’iu përgjigjur pyetjeve të Komisionit Hetimor”- deklaroi ai jo më larg se dje, në konferencën e posaçme për shtyp. Por ndërsa Komisioni ka përcaktuar datën dhe orën e marrjes së dëshmisë së presidentit, institucioni i kreut të lartë të shtetit nuk e ka vendosur ende se cila do të jetë mënyra e përgjigjes së pyetjeve të komisionit dhe në ç’kohë komisioni do ta ketë këtë përgjigje.

Comments are disabled
Rate this article

Comments are closed.