Libri i shëndetit
Vaccinium myrtillus: Boronica.
Familja: Vaccinaceae.
Është një shkurre e vogël, gjithmonë e gjelbër; gjethet eliptike me majë. Lulëzon në maj-qershor, ndërsa fryti, bakë blu në të zezë, piqet në korrik-shtator.
Rritet mjaft në Shqipëri, sidomos në zonën e ahut. Rritet edhe e kultivuar.
Origjina e saj gjindet në Evropë, ku është përdorur për kurim prej shumë shekujsh.
Pjesë të përdorshme:
Për mjekim përdoren frytet. Mund të përdoren edhe gjethet, por veprimi i tyre është më i dobët.
Cilësitë kryesore: Astrigjent dhe obstipant i fuqishëm. Antiskorbutik, shkatërrues i gurëve të veshkave, hipoglicemizues, antiseptik dhe antioksidant.
Përdoret në këto raste:
1 – Në kurimin e arteriosklerozës.
2 – Në përmirësimin e qarkullimit të gjakut.
3 – Në probleme të syve dhe të shikimit, sidomos te diabetikët. Përdoret edhe për të parandaluar glaukomat dhe kataratet, por edhe për të forcuar shikimin, sidomos tek ata që punojnë natën në trasport.
4 – Kundër diarresë.
5 – Kundër skorbutit.
6 – Për të shtuar qarkullimin në enët e gjakut të syve.
7 – Kundër infeksioneve.
8 – Kundër gurëve në veshka.
9 – Kundër hemorroideve.
10 –Për të ulur përqindjen e sheqerit në gjak.
Mënyra e përdorimit:
– Frytet e freskëta të boronicës, 60-80 kokrra në ditë, por edhe të thata, mund të konsumohen edhe direkt, pa asnjë përpunim, dy-tre herë në ditë. (Duhet patur parasysh që frytet e thata kanë më pak flavonoide se frutat e freskëta. Për të riekuilibruar këtë mangësi, boronica e tharë duhet kombinuar me ekstrakt të lëvores së pishës ose me ekstrakt të farave të rrushit.)
– Në formë dekokti: 100 kokrra përgatiten me 5-6 filxhanë kafeje ujë dhe pihen tre-katër herë në ditë.
– Në formë tinkture, merren 30- 50 pika në ditë, në mvarësi të peshës trupore dhe të gjendjes së përgjithshme shëndetësore.
– Në formë ekstrakti të lëngët, merren 25-40 pikanë ditë.
– Për probleme të syve dhe të qarkullimit të gjakut, boronica mund të kombinohet me gjethe të ginkgo biloba.
Kujdes: Mos besoni më shumë te boronica sesa te mjeku, sidomos për problemet e syve. Mjeku është i domosdoshëm, boronica ndihmës.
Kokrrat e boronicës nuk kanë rrezik nëse kalohet pak masa e përdorimit, ndërsa gjethet duhen përdorur me kujdes në kohë e në sasi, sepse mund të shkaktojnë toksicitet.
Cnicus benedictus (Cardus benedictus): Bari i cnukut.
(Bimë e paqes, dashurisë dhe harmonisë.)
Familja: Asteracea
Bimë barishtore njëvjeçare. Rritet spontane por edhe e kultivuar si bimë mjekësore.
Rritet pak në Shqipëri. Gjindet edhe në rrethinat e Tiranës. Rrallë harrin lartësi më shumë se 50 cm.
Origjinën e ka në vendet e mesdheut.
Pjesë të përdorshme: gjethet, me push, me ngjyrë jeshile të errët, të onduluara e me buzë të dhëmbëzuara që përfundojnë me gjëmba dhe majat e porsalulëzuara, me ngjyrë të verdhë. Mblidhen në qershor ose në ditët e para të korrikut dhe thahen në hije.
Cilësitë: Kardiotonik, amarotonik, diuretik, antimikrobik, stomakik, diaforetik, astrigjent, emetik dhe stimulant.
Në mesjetë është përdorur për të kuruar murtajën dhe linë.
Cnuku ka cilësi të ngjashme me gjembgomarin dhe angjinaren e egër. Përdoret për tonifikimin e punës së mëlçisë, sidomos kurajo është dëmtuar nga përdorimi i tepërt i pijeve alkoolike.
Përmban vitaminë B-kompleks, kalçium, hekur dhe manganez.
Konsiderohet si një nga mjetet më të mira për të shtuar qumështin te nënat me fëmijë.
Ka cilësi të ekuilibrojë gjendjen hormonale femërore, të ndihmojë shkarkimin mestrual dhe të lehtësojë dhimbjet mestruale.
Me barin e cnukut fabrikohen pije tonike dhe ndihmuese të tretjes.
Shton prodhimin e tëmthit në mëlçi.
Shton qarkullimin e gjakut dhe forcon kujtesën.
Vaji esencial i cnukut ka veprim antibiotik, sidomos kundër Staphylococcus aureus dhe S. Faecalis.
Ruajtja: Pasi thahet në hije, bima e tërë ambalozhohet që të mos ketë kontakt me lagështirën dhe as me dritën. Për ruajtje përdoren edhe enë qelqi me ngjyrë të errët.
Mënyra e përdorimit.
Tinkturë: merret një sasi bime, copëzohet dhe hidhet në një enë qelqi të errët. I shtohet alkool 60 gradë, ose raki e mirë rrushi, ose vodkë, sa të mbulohet e gjithë bima. Ena vendoset në një vend pa dritë dhe lihet atje për katër pesë javë, duke e tundur disa herë në ditë. Në fund kullohet, hidhet në enë qelqi të errët dhe është gati për përdorim. Merren 2 ml. nga kjo tinkturë, tre herë në ditë, një orë para ushqimit. Tinktura e ruajtur me kujdes e ruan efektin për dy vjet.
Infuz: Për infuz përdoret bima e freskët ose e tharë, e copëzuar imët. Hidhen dy lugë kafeje bimë për një filxhan çaji me ujë të valuar. Lihet dhjetë-pesëmbëdhjetë minuta, kullohet, ëmbëlsohet me sheqer ose mjalt dhe pihet. Merren tre filxhana çaji në ditë.
Kujdes: Çaji i cnukut nuk duhet bërë shumë i fortë se mund të shkaktojë diaré, ose të vjella.
Nuk duhet ta përdorin gratë shtatzëna.
Gratë me fëmijë në gji duhet të konsultohen me mjekun para përdorimit të cnukut.
Arctium lappa: Rrodhja e madhe
Arctium lappa: Rrodhja e madhe
Bimë dyvjeçare me rrënjë cilindriko-konike, harrin deri në 1.5 m. lartësi, me shumë degëzime, me gjethe në formë zemre, mesatarisht të mëdha, të dhëmbëzuara, me lule rozë në të kuqe, me fryt të mveshur me gjembëza të hollë, që ngjitet nëpër rroba ose në leshin e bagëtive, sidomos një torturë e vërtetë për delet.
Njihen rreth 10 lloje rrodhesh.
Në Shqipëri rritet kudo, që nga Saranda deri në Shkodër, sidomos në toka të papunuara buzë rrugëve, arave dhe nëpër kodra.
Është bimë autoktone e Evropës dhe Azisë.
Pjesë të përdorshme: E gjithë bima ka cilësi ushqyese dhe kurative, por kryesisht përdoren rrënjët, të cilat shkulen në vjeshtën e vitit të parë ose në pranverën e vitit të dytë, para lulëzimit. Pasi pastrohen mirë me ujë të pastër thahen në hije, në shtresa të holla.
Rrënjët e rrodhes përdoren shumë që nga Rusia e Franca deri në Amerikë, që nga Japonia deri në Kanada e në Kinë, etj.
Përmban: Alkaloide, vaj esencial, flavonoide, glykozide, lëndë mucilagjinoze, rezina, tanin dhe sidomos inulinë (deri në 45%), etj. Farat përmbajnë edhe vit. A e B.
Cilësitë kryesore: Tonik, stimulant uterin, alterativ, diuretik, diaforetik, antibakterial, antikandida (antimykotik?), nxitës i funksionit hematikobiliar, antikanceroz dhe antitumoral i rëndësishëm, detoksifikues pas përdorimit të shumtë të antibiotikëve, etj.
Përdorimi: Tradicionalisht rrënjët e rrodhes janë përdorur për të pastruar gjakun.
Ndihmon shumë në çlirimin e trupit nga toksinat e çdo lloji. Është mjaft i dobishëm kundër akneve, psoriazës dhe ekzemës së thatë.
Përdoret me përfitim për të shtuar prodhimin e tëmthit.
Vetëm ose i kombinuar me bimë të tjera, është i dobishëm në trajtimin e kancerit dhe të tumoreve kancerozë.
Preparatet e rrënjëve përdoren me sukses si antimikrobikë dhe antikërpudhorë. Po ashtu përdoret me shumë sukses për të lufuar furunkulozën.
Përdorimi i rrodhes duket se neutralizon efektin shkatërrues të alkoolit në mëlçi.
Edhe preparatet e fryteve janë të dobishëm në psoriazë dhe në përmirësim të tretjes.
Gjethet e freskëta të shtypura e të vendosura në ballë heqin dhimbjen e kokës; përdoren edhe në mjekimin për shërim të shpejtë të plagëve të djegies.
Vaji i rrodhes, i përdorur me durim për një kohë të gjatë 5-6 mujore thonë se ndihmon në zhvillimin e flokëve të reja.
Mënyrat e përdorimit:
Dekokt: mënyra më e mirë për të shfrytëzuar cilësitë kurative të rrënjës së rrodhes është nëpërmjet dekoktit.
Përgatitet kështu: merret një lugë kafeje me rrënjë të freskët ose të tharë, të grirë imët, hidhet në një enë balte ose qelqi, shtohet një gotë ujë (250 ml.), vendoset në zjarr të fortë sa të fillojë të valojë, pastaj pakësohet zjarri dhe e lëmë në temperaturë vlimi të lehtë për rreth 20 minuta, pastaj hiqet nga zjarri, kullohet, ëmblsohet sipas dëshirës me sheqer ose me mjalt dhe pihet. Merren tre gota çaji të tilla në ditë.
Tinkturë: Për një pjesë bari (gjethe, rrënjë ose fryte) të freskët marrim tre pjesë alkool 50 gradë (ose vodkë). I vendosim në një enë qelqi me ngjyrë të errët. Enën e vendosim në një vend pa dritë. E tundim disa herë në ditë. Kjo gjë zgjat rreth dy javë. Pas kësaj kohe e kullojmë me napë, e hedhim në shishe të errët, e mbyllim mirë dhe është gati për përdorim.
E ruajtur me kujdes, ka efekt për dy vjet.
Nga kjo tinkturë pijmë nga gjysmë lugë kafeje, tre herë në ditë.
Llapá: Merren gjethe të freskëta, copëzohen dhe shtypen mirë në havan. Hiqet disí lëngu i tepërt, vendoset llapaja në vendin e sëmurë dhe lidhet lehtë me një napë. Ky ritual përsëritet në çdo tre-katër orë, derisa arrihet qëllimi i mjekimit.
Kundër djegieve: Gjethe të freskëta grimcohen, hidhet në to një e bardhë veze, shtypen sëbashku në havan dhe vendosen në vendin e djegur, ku lihen sa më gjatë të jetë e mundur. Kjo përzjerje në formë llapaje jep shërim të shpejtë. Nganjëherë kësaj përzjerje i shtohet edhe një lugë çaji me mjalt, jo të kristalizuar. Efekti mirëbërës shtohet.
Rrënjët, gjethet dhe farat, përdoren edhe në kuzhinë. Përdoren të freskëta, të pjekura ose të ziera. Recetat e përdorimit janë të shumta, që nga sallatat deri te supat ose surrogatot e kafesë.
Kujdes!
– Rrënjët e rrodhes nuk duhen ngatërruar me rrënjë të llojeve të tjera, të cilat në të njëjtën dozë mund të jenë vdkjeprurëse.
– Rrodhja nuk duhet përdorur nga gratë shtatzëna, sepse mund të shkaktojë abort.
– Nuk duhet përdorur as nga gratë me fëmijë në gji.
– Duhet shmangur përdorimi i dozave të mëdha.
– Nëse keni shenja alergjie nga prekja e gjetheve ose fryteve të rrodhes, mos e përdorni atë.
– Të sëmurët me diabet nuk duhet të përdorin preparate të rrodhes pa u këshilluar me mjekun specialist.
– Njerëzit me përqindje të ulët të potasit e të hekurit në gjak, para se të përdorin preparate të rrodhes, duhet të këshillohen me mjekun.