/ Edukim / SHBA: Ndëshkoni me votë ata që deshën të prishin zgjedhjet e 8 majit

SHBA: Ndëshkoni me votë ata që deshën të prishin zgjedhjet e 8 majit

Benji Oz on March 17, 2011 - 4:13 pm in Edukim

Ambasadori amerikan Arvizu u ka bërë thirrje shqiptarëve që të marrin pjesë masivisht në zgjedhjet e 8 majit dhe të ndëshkojnë me votë ata që deshën ta prishin procesin zgjedhor. U mbyllet dera edhe pretendimeve të PS-së, për rikompozimin e KQZ-së, duke i cilësuar ato si të padiskutueshme veç një muaj para ditës së zgjedhjeve

Pavarësisht se Partia Socialiste ka renditur një sërë kërkesash, si kushte për organizmin dhe pjesëmarrjen në zgjedhje, Shtetet e Bashkuara të Amerikës deklarojnë zyrtarisht se nuk ka më kohë për ndryshime ligjore, apo për rikompozim institucionesh të administrimit të zgjedhjeve të cilat ndërtohen me ligj. Këtë qëndrim e konfirmoi dje ambasadori i SHBA-ve, Aleksandër Arvizu, gjatë një vizite në qytetin e Lushnjës ka vlerësuar si shumë të rëndësishme zgjedhjet lokale të 8 majit. Arvizu i ka bërë thirrje për përgatitjen e tyre dhe lënien mënjanë të kërkesave për ndryshim të Kodit Zgjedhor apo KZAZ-ve. “Nuk ka kohë për ndryshime në Kodin Zgjedhor as në KZAZ”, tha Arvizu nga qyteti i Lushnjes. Ai hodhi poshtë çdo mundësi të ndryshimit të kodit zgjedhor si dhe të përbërjes së KZAZ-ve pas bojkotit të së majtës në KQZ. Nga qyteti i Lushnjes ambasadori amerikan është shprehur se, “Komiteti ndërkombëtar është i shqetësuar dhe ne po punojmë ngushtë me KQZ për zgjedhjet, por kuptohet që sipërmarrja më e madhe ndërkombëtare dhe organi drejtues është OSBE/ODHIR së bashku me shefin e OSBE-së dhe ambasadorin e BE do të takohemi me presidentin Topi për të diskutuar këto çështje. Zyrtarisht fushata fillon në 8 prill, 30 ditë para zgjedhjeve mendoj që nuk ka kohë mjaftueshëm për ta rishikuar apo ndryshuar kodin zgjedhor është shumë vonë për ta bërë. Mendoj që është i rëndësishëm respektimi i kushtetutës”. Tashmë që mbetem më pak se dy muaj deri në zhvillimin e zgjedhjeve vendore të 8 majit, ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, theksoi se personat që kërkojnë që zgjedhjet të mos shkojnë mirë duhet të marrin kundërpërgjigjen e qytetarëve, pasi janë ata që zgjedhin institucionet që i qeverisin.
Ambasadori Arvizu ka theksuar rëndësinë e zhvillimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe për këtë ai ka garantuar prezencën e tij në terren gjatë këtij procesi.
“Që unë ta bëj punë time siç duhet për të kuptuar problematikat me të cilat përballen votuesit nuk do të thotë që të ulem në Tiranë dhe të shoh televizor, por kjo nënkupton që unë duhet të dal jashtë Tiranës dhe të vizitoj edhe qytetet e tjera”, tha Arvizu.
Gjatë kësaj vizite në qytetin e Lushnjës ambasadori i SHBA-së, Arvizu është takuar edhe me kryebashkiakun e Lushnjes Albert Sanxhaku, ambasadori Arvizu i kërkoi këtij të fundit një debat televiziv me rivalin e tij përpara zgjedhjeve të 8 majit.
Ambasadori Arvizu u njoh me punën që është bërë në Lushnje ne lidhje me listat zgjedhore. Nga ana e tij kryebashkiaku Sanxhaku theksoi se është bërë një punë e mirë në përgatitjen e listave zgjedhore ndërsa theksoi se shqetësimi i vetëm është informimi i emigrantëve ku një Lushnje numërohen 8000 të tillë. “Për emigrantët do të ketë një qendër informacioni për çdo qendër votimi”, theksoi Sanxhaku.

Comments are disabled
Rate this article

Comments are closed.