/ Edukim / Lala dëmtohet, në dyshim ndaj Bjellorusisë

Lala dëmtohet, në dyshim ndaj Bjellorusisë

Benji Oz on March 17, 2011 - 4:18 pm in Edukim

Dëmtohet mesfushori Altin Lala. Ky është lajm i keq për kombëtaren e Shqipërisë dhe në veçanti për trajnerin kroat Josip Kuzhe, i cili vetëm 24 orë më parë kishte konfirmuar se “xhuxhi-luftarak” ishte i grumbulluar për sfidën eliminatore të Euro 2012 ndaj Bjellorusisë.

Lajmi është bërë i njohur dje nga mediat gjermane, sipas të cilave futbollisti kuqezi është dëmtuar në seancën e fundit stërvitore gjatë javës së kaluar me grupin tjetër të lojtarëve të Hanoverit. Sikurse është mësuar dje, ka qenë pikërisht ky dëmtim ai që e ka lënë mesfushorin shqiptar jashtë ndeshjes së javës së 26 të Bundesligës kundër Këlnit, ku “të kuqtë” u mundën me rezultatin e thellë 4-0. Sipas diagnostifikimit paraprak që i është bërë lojtarit, është mësuar se ai vuan nga një problem muskulor. Por së shpejti pritet që ai t’i nënshtrohet një kontrolli më të specializuar, në bazë të të cilit do të përcaktohet diagnoza e saktë.

Gjithsesi, për momentin ende nuk dihet se sa do të jetë koha e qëndrimit të tij larg fushës së futbollit. Kjo ka bërë që të hidhen dyshime edhe në lidhje me grumbullimin e tij në kombëtaren kuqezi, tani kur vetëm 9 ditë na ndajnë nga një prej ndeshjeve më të rëndësishme të eliminatoreve për Euro 2012, ajo ndaj Bjellorusëve. Sipas deklaratës së fundit të bërë nga vetë trajneri Josip Kuzhe, “sfida ndaj Bjellorusisë është një ndeshje shumë e rëndësishme për Shqipërinë. Kjo ndeshje vendos fatin e këtyre eliminatoreve për Shqipërinë. Ne do të kërkojmë fitoren dhe, nëse e realizojmë, atëherë mund të flasim për objektiva të tjerë. Në Bosnjë do të shkonim me tjetër synim”.

Po ashtu tekniku kroat i kuqezinjve kishte theksuar se për një sfidë të tillë ka ndërmend të grumbullojë dy veteranët Ervin Skela dhe Altin Lala.

“Lala vërtet po aktivizohet pak me ekipin e parë, por ai stërvitet rregullisht, e ka kaluar plotësisht dëmtimin. Këtë formë të mirë e ka shfaqur në ato pak minuta që është aktivizuar me ekipin e parë, por edhe në ndeshjet me skuadrën e dytë”, ishte shprehur trajneri i kuqezinjve.

Por në këtë deklaratë duket qartë se nuk e kishte parashikuar një mungesë të mundshme të kapitenit, i cili aktualisht rezulton i dëmtuar. Gjithsesi duhet të presim edhe pak për të mësuar se cili do të jetë afati i rikuperimit të tij.

Comments are disabled
Rate this article

Comments are closed.