/ Edukim / Lajçak: Jo zgjedhjeve të parakohshme, partitë politike të përgatiten për zgjedhjet lokale

Lajçak: Jo zgjedhjeve të parakohshme, partitë politike të përgatiten për zgjedhjet lokale

Benji Oz on February 4, 2011 - 2:12 am in Edukim

– Lajçak, Berishës: Zgjedhjet e 8 majit, axhenda evropiane e Shqipërisë

Drejtori Ekzekutiv në Shërbimin e Jashtëm të BE-së zotin Miroslav Lajçak deklaron se “në Bashkimin Evropian ka zero mbështetje për zgjedhje të parakohshme apo për bojkot të zgjedhjeve lokale”

I dërguari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak ka deklaruar sot se forcat politike duhet të përgatiten për zgjedhjet e 8 majit, ndërsa theksoi se në asnjë mënyrë nuk mund të zhvillohen zgjedhje të parakohshme. Deklaratën e tij zyrtari i lartë i Brukselit e bëri pas takimeve të zhvilluara me kryeministrin e vendit Sali Berisha dhe kreun e opozitës, Edi Rama. Në një konferencë për shtyp, Lajçak deklaroi se për përmirësimin e situatës duhet të merren hapa konkretë si shmangia e dhunës dhe respektimi i ligjeve dhe institucioneve të vendit. “Ka disa hapa konkretë të cilat duhet të merren. Jo dhunë, jo retorikë e zjarrtë, respekt të plotë për institucionet dhe për ligjin sipas kushtetutës. Së dyti, duhet të rikthehet dialogu mes pozitës dhe opozitës dhe kjo duhet bërë duke filluar punën dhe për zgjedhjet në 8 maj, duke i çuar një mesazh të gjithë popullit. Dhe së treti, të fillohet puna në mënyrën më serioze për 12 pikat e KE-se që të kemi një ecuri pozitive”- u shpreh Miroslav Lajçak. Ai ka theksuar se përgjegjësit e ngjarjeve të demonstratës së 21 janarit duhet të përballen me drejtësisë, ndërsa ka shprehur shqetësimin për situatën por njëkohësisht ka shprehur shpresën për përmirësimin e saj duke treguar gatishmëri për kontribut. “Çfarë duhet të arrijmë, është që të afrohemi në BE dhe të bëhemi pjesë e saj, prandaj për këtë duhet punuar. Jam i shqetësuar, por jam i sigurt se kjo krizë mund të kthehet. Ne jemi këtu për të ndërmjetësuar dhe e gjithë kjo duhet bërë nga udhëheqësit tuaj politik. “Dëshiroj t’ju siguroj se BE-ja është për t’ju ndihmuar në çfarë do lloj mënyre të mundshme. Unë i bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të sillen në mënyrë të përgjegjshme dhje të mos provokohen”- tha ai. Ndër të tjera, Lajçak u ndal në aspektet pozitive dhe negative përsa i takon kthimit në Shqipëri. “Së pari do të flas për një aspekt pozitiv, për fatin që kryeministri anuloi protestën dhe hetimin nga ana e Prokurorisë, megjithatë nga ana negative kemi ende arsye për të qenë të shqetësuar për situatën në Shqipëri. Kemi përshkallëzim të situatës, dhe për këtë arsye gjendemi në Shqipëri, me të cilën jam takuar dhe me presidentin, kryeministrin dhe kreun e opozitës”- tha Lajçak.

Lajçak, Berishës: Zgjedhjet e 8 majit, axhenda evropiane e Shqipërisë

Kryeministri Sali Berisha priti sot Drejtorin Ekzekutiv në Shërbimin e Jashtëm të BE-së zotin Miroslav Lajçak. Kryeministri Berisha e falënderoi zotin Lajçak me mirënjohje për mbështetje që Bashkimi Europian, Këshilli dhe Përfaqësuesja e Politikës së Jashtme të BE, Ashton, dhe institucionet e tjera të BE po i japin Shqipërisë për të kapërcyer këtë situatë të vështirë të krijuar si pasojë e përpjekjeve të liderit të opozitës për të marrë pushtetin me dhunë. I dërguari Lajçak e falënderoi përzemërsisht Kryeministrin për pritjen dhe i ri-shprehu atij edhe një herë vlerësimin e tij dhe të BE-së për qëndrimin konstruktiv e të përgjegjshëm të qeverisë shqiptare dhe rolin e Kryeministrit Berisha përfshirë vendimin për anullimin e manifestimit dhe nxitjes së institucioneve për hetim dhe zbardhje të plotë të ngjarjeve që ndodhen në 21 janar. Më tej, zoti Lajçak i rikonfirmoi Kryeministrit Berisha se BE është totalisht i angazhuar për të ndihmuar Shqipërinë për të kapërcyer këtë situatë të vështirë dhe për të vijuar procesin e integrimit evropian dhe marrjen e statusit të vendit kandidat. “BE e konsideron diskutimin mbi zgjedhjet e 2009 si një kapitull i mbyllur përfundimisht bazuar në vlerësimin e bërë nga raporti i OSBE / ODIHR!”, u shpreh Lajçak, duke shtuar se “në Bashkimin Evropian ka zero mbështetje për zgjedhje të parakohshme apo për bojkot të zgjedhjeve lokale”. Më tej, zoti Lajçak theksoi se është koha tashmë që Shqipëria të fokusohet në hapat e mëtejshëm përpara me axhendën evropiane. Ai u shpreh se për këtë kërkohet hetim për zbardhjen e plotë e të paanshme të ngjarjeve të 21 janarit në kuadrin e institucioneve dhe shtetit ligjor, e së dyti shmangia e çdo lloj akti të mëtejshëm provokues duke i konsideruar në këtë kontekst demonstratat si mbartëse të një risku serioz në këtë periudhë. Zoti Lajçak theksoi nevojën për uljen e toneve dhe retorikës nga të gjitha palët, kthimin e opozitës dhe restaurimin e dialogut politik në Parlament për axhendën e integrimit evropian dhe statusit të vendit kandidat dhe adresimin e të gjitha rekomandimeve të parashtuar në opinionin e Komisionit Evropian, dhe më e rëndësishmja përqendrimin e të gjitha energjive në përgatitjen dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale të 8 Majit në përputhje me standardet ndërkombëtare. Në këtë kontekst i dërguari Lajçak theksoi se Bashkimi Evropian është kundra betejave politike jashtë kuadrit institucional, kundra çdo aktiviteti që mund të provokojë akte dhune të mëtejshme, asnjë mbështetje për bojkotim dhe bllokim të procesit zgjedhor, cilido që loz me këto tre karta humbet çdo kredibilitet në sytë e ndërkombëtarëve. Duke e falënderuar z. Lajçak për mesazhet e rëndësishme të tij, Kryeministri Berisha  theksoi se kushti vendimtar i zgjidhjes së kësaj situate është hetimi i plotë dhe transparent i 21 janarit në të gjitha drejtimet dhe se ai është i vendosur që çdo gjë të zgjidhet në kuadrin e institucioneve dhe shtetit ligjor. “Qëndrimet e personave të caktuar në këto institucione nuk lëkundin besimin tim tek institucionet, roli dhe funksionimi i tyre”,  theksoi Kryeministri. Kryeministri Berisha, gjithashtu, shtoi se bashkëpunimi ndërinstitucional është në këtë moment i domosdoshëm për kapërcimin e situatës. Shqipëria, – tha Kryeministri, – është Republikë Parlamentare, ndaj dhe hezitimi i drejtuesve të ndonjë institucioni për të përmbushur detyrimet ligjore dhe kushtetuese ndaj Kuvendit të Shqipërisë bie ndesh me këto të fundit. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha e siguroi zotin Lajçak se Komisioni Hetimor Parlamentar po investigon vetëm veprimtarinë e institucioneve dhe se ka thërritur për informacion personalitetet në cilësinë e krerëve të institucioneve në raport me zbatimin e ligjit siç parashikohet në nenin 14 të ligjit për Komisionet Parlamentare, dhe se çdo fakt, dokument apo të dhëna që Komisioni do të mbledhë gjatë veprimtarisë së tij do ti dërgohet, ashtu siç përcakton ligji, Prokurorisë së Përgjithshme për të ndihmuar në hetimet e mëtejshme e të plotë të ngjarjeve. Kryeministri Berisha e ftoi opozitën të zërë vendin e saj në Komisionin Hetimor dhe të ofrojë kontributin e saj aktiv në veprimtarinë e tij, duke theksuar se anëtarët e opozitës në këtë Komision kanë të garantuar me ligj rolin e tyre në këtë proces.

Comments are disabled
Rate this article

Comments are closed.